DOM DEDE MAÇAJ [1920-1947]


TEK SHOH SY NE SY TE PUSHKATUARIN DOM DEDE MAÇAJ

Tek shoh portretin e Dedë Maçajt, këtij meshtari të ri që kur kryente shërbimin e detyrueshem ushtarak në Permet, e pushkatuan në repartin ku sherbente e në prani të ushtarëve, dhe jo më shumë se 9 ditë pas arrestimit pa asnjë akuzë e pa asnjë faj, vetëm se ishte prift; nuk mund të mos mendoj se të gjitha ato vandakë me shkrime surogato mbi larjet e hesapeve në mes të hijenave, banditëve e çobanëve të Byrose Politike, që na i servir me bollëk shtypi mjeran dhe televizioni politik i Tiranës, nuk janë tjetër veç krunde, dhe të gjithë këta që merren me kërmat e jo me heronjtë e vërtetë, janë pjellë e farës së keqe komuniste, në mos me origjinë biologjike, me mentalitet do si do.
Mjerisht Shqipëria vazhdon të sundohet nga njerëzit me mendësi komunist edhe sot e kësaj dite, 20 vjet pas ngordhjes së kërrmës së kuqe, ani pse antikomunistë të shfaqen të gjithë, shtetarë apo argatë, në pozitë apo opozitë a në dreq.
Në këto kohë bastardhe, kur ekrani të servir fytyra të ndyra buroistësh, që nisën të shqyenin njëri-tjetrin pasi e shfarosën së bashku inteligjencen shqiptare, kur të jepet përshtypja se historia nuk është gjë tjetër veç bëma katilësh e diktatorësh, nuk mund t’i ndaj nga mendja e zemra njerëz si Dom Dedë Maçaj pushkatuar 27 vjeç, Gjelosh Lulashi pushkatuar 21 vjeç, seminaristi Mark Çuni pushkatuar 27 vjeç, Marie Shllaku pushkatuar në Kosovë 24 vjeç, patriotin tim nga Hoti, mësuesin Gjergj Martini, pushkatuar në Kosovë 29 vjeç, Qerim Sadiku nga Vuthaj, 27 vjeç, i konsideruar Martir i fesë katolike sepse mbajti qëndrim heroik kur u pushkatua dore për dorë me Atë Gjon Shllaku, Atë Giovanni Fausti dhe Atë Daniel Dajani, më 4 mars 1946, me vjen ndermend drama e tragjedia e vajzës së bukur fetare Marie Tuci, vrarë në moshën 22 vjeç nga krimineli gjeneral Hilmi Hasan Seti, i cili donte ta përdorte, por nuk mundi e nuk mundi ky vampir i kuq, që ca gazetarë e politikanë populistë përpiqen ta shesin për hero apo viktimë të diktaturës.
Kur do të marr fund kjo masakër e shtypit dhe e mediave bastadhe me historinë e përgjakur 1944-1991.
Mjaft më me stilin e propogandës bolshevike gjak mbi gjak.
Mjaft më me histori kriminelësh, që koha u dha fatin të përfundonin në lumin e gjakut që ata vetë krijuan.
Sillni në skenë Heronjtë e Martirët e vertetë të këtij kombi.

KOLEC TRABOINI
28 korrik 2011


DOM DEDË MAÇAJ

1920-1947

Lindi në Mal të Jushit (Shkodër), më 5 shkurt 1920. Mësimet e para i mori në Seminarin Papnor të Shkodrës, kurse teologjinë në Romë. U shugurua meshtar më 19 mars 1944 dhe u emërua zëvendës famullitar i Shkodrës.
U mor në shërbimin ushtarak, pastaj u arrestua si spiun i Vatikanit më 10 mars 1947. Pas torturave të papërshkrueshme u pushkatua më 28 mars 1947, në Përmet (Shqipëri e Jugut), përpara ushtarëve të regjimentit dhe i shkelur prej fanatikëve, derisa dha shpirt nën këmbët e tyre të përgjakura.
Qe një meshtar i përkryer, i zellshëm dhe i përvuajtur, i dashur, i gatshëm. Gjatë shërbimit ushtarak, edhe pse i disiplinuar, për shkak të fesë së tij katolike qe gjithmonë i përçmuar dhe i keqtrajtuar, siç kanë dëshmuar shokët e tij. Me një paraqitje engjëllore. Është një martir.
Dëshmitari okularë, bashkëushtari i tij Nikollë Koleci nga Delbnishti (Kurbin), i dëshmon gjërat e mësipërme.

Nga http://www.kishakatolikeshkoder.com/